Diabeti i tipit 2 karakterizohet nga nivele të larta të glukozës në gjak, të cilat mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Një studim i ri ka zbuluar se personat me diabet të tipit 2 që konsumuan ketone para ushtrimeve fizike kishin rritje të debitit kardiak, vëllimit të goditjes dhe oksigjenimit të muskujve periferikë — të gjitha këto tregues të përmirësimit të funksionit të zemrës, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit sugjerojnë se ketonet mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës, por theksojnë se kërkimet janë ende në vazhdim.
Diabeti i tipit 2, i cili prek një numër gjithnjë e më të madh njerëzish në mbarë botën, ndodh kur trupi ndalon së reaguari ndaj insulinës, hormonit që kontrollon nivelin e glukozës në gjak. Kur insulina nuk funksionon siç duhet, glukoza mbetet në gjak në vend që të merret nga qelizat për t’u përdorur si energji.
Nëse niveli i glukozës në gjak nuk kontrollohet, kjo mund të çojë në komplikacione, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare.
Trajtimet për diabetin e tipit 2 synojnë uljen e niveleve të glukozës në gjak.
Një lloj trajtimi — inhibitorët e ko-transportuesit të natrium-glukozës-2 (SGLT2i) — gjithashtu duket se mbron zemrën, ndoshta duke shkaktuar ketozë, një gjendje ku trupi përdor yndyrnat në vend të karbohidrateve si burim energjie. Mëlçia i shndërron yndyrnat në ketone, të cilat metabolizohen nga qelizat për të çliruar energji.
Një studim i mëparshëm zbuloi se suplementet me ketone ulën nivelin e glukozës në gjak pas ngrënies së ushqimit tek personat me diabet të tipit 2 dhe rekomandoi kërkime të mëtejshme për përfitime të tjera të mundshme të këtij trajtimi.
Për të testuar nëse ketoza është përgjegjëse për përfitimet kardiake të SGLT2i-ve, një ekip nga Universiteti i Portsmouth në Mbretërinë e Bashkuar u dha ketone monoestere (ketone ekzogjene) një grupi njerëzish me diabet të tipit 2 dhe më pas mati funksionin e zemrës së tyre.
“Personat me diabet të tipit 2 shpesh e gjejnë të vështirë aktivitetin fizik dhe ushtrimet. Kjo ndodh sepse zemra e tyre nuk mund të përdorë glukozën, burimin më efikas të energjisë së trupit, për shkak të rezistencës ndaj insulinës. Në studimin aktual, zemrat e të gjithë 13 pjesëmarrësve funksiononin më mirë pas konsumimit të pijeve me ketone, si në gjendje pushimi ashtu edhe gjatë ushtrimeve me intensitet të moderuar, krahasuar me pijet placebo. Prandaj, një pije me ketone ka potencialin të jetë një trajtim ndihmës për të përmirësuar funksionin kardiak dhe cilësinë e jetës tek personat me diabet të tipit 2. Megjithatë, nevojiten studime më të mëdha dhe me kohëzgjatje më të gjatë për të vlerësuar efikasitetin dhe sigurinë.”
— Autorja e studimit, Dr. Maria Perissiou nga Shkolla e Psikologjisë, Sportit dhe Shkencave Shëndetësore në Universitetin e Portsmouth.
Ky studim është publikuar në revistën “Journal of Applied Physiology”. /Gazeta Shneta/


