Një aksident tragjik mbrëmjen e djeshme i ka marrë jetën kirurgut vaskular, Dr. Jetmir Gashit.
Lajmin e trishtë e dhanë fillimisht kolegët në rrjete sociale, të pasuar nga telegrame ngushëllimi nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) dhe Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), shkruan Gazeta Shneta.
Për largimin nga jeta të Dr. Jetmir Gashit, kanë reaguar një masë e madhe e kolegëve, tashmë të të ndjerit.
Drejtori i Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, Hajriz Rudari, është shprehur i tronditur nga marrja e lajmit për humbjen e kolegut të tij.
“E kobshme paska qenë kjo mbrëmje kur morëm lajmin e trishtë për ndarjen tragjike nga jeta, të kolegut tonë, dr. Jetmir Gashit, Kirurg Vaskular!”, ka shkruar Rudari.
Teksa, instrumentarja e repartit të Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, Adelina Lahu, e ka vlerësuar lartë kontributin e dhënë të Dr. Gashit dhe mirënjohje të madhe për punën dhe kohën e kaluar së bashku.
“Një jetë e ndërprerë padrejtësisht në mes… Një ditë e trishtë për të gjithë ata që patën fatin të të njohin, të punojnë e të ndajnë momente me ty. Kujtimi yt do të mbetet gjithmonë i gjallë mes nesh. U prehsh në paqe!”, ka thënë Lahu.
Me një indinjatë të thellë dhe i prekur shpirtërisht, kardiokirurgu Leonard Bytyqi, dërgoi mesazhe të fuqishme dhe prekëse të ndarjes nga jeta të kolegut të tij.
“Qysh asht kaq e padrejtë kjo jetë, qysh m’le pa m’thonë u pafshim nesër. S’muj me pranu ikjen tande o shoq, asht e pamundshme osht e pabesushme, gjithë ato plane na metën n’gjysmë o burrë i dheut. Nuk t’ thom lamtumirë kurrë”, ka shkruar Bytyqi.
Momentet prekëse dhe të paharrueshme ndaj rrugëtimit të përbashkët të shkollimit dhe punës që filloi nga viti 2011-ta, Bytyqi i bashkon në frazën e mëposhtme:
“Të pandarë prej 2011-tës, recetën e parë të mjekut e kam mësu si me shkru ngat ti o Jetmir burri edhe vulën e parë t’mjekut e kam qit vulën tande o shoq”, u shpreh ai.
Dr. Jetmir Gashi ishte specialist i Kirurgjisë Vaskulare nga Suhareka. Studimet për Mjekësi të Përgjithshme i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa specializimin për Kirurgji Vaskulare e përfundoi në Kosovë.
Dr. Gashi u shërbeu qytetarëve në lëminë e Kirurgjisë Vaskulare për shumë kohë. /Gazeta Shneta/




