Një studim global i koordinuar nga Amsterdam UMC ka zbuluar se një trajtim i ri për trombozën e sinusit është po aq i sigurt dhe efektiv sa metodat tradicionale, por më i përshtatshëm për pacientët.
Rezultatet e këtij studimi, të publikuara në revistën prestigjioze *The Lancet Neurology*, sugjerojnë se antikoagulantët oralë të drejtpërdrejtë (DOACs) mund të zëvendësojnë antagonistët e vitaminës K (VKAs), të cilët kërkojnë monitorim të rregullt shkruan MedicalXpress transmeton GazetaShneta.
Tromboza e sinusit është një formë e rrallë dhe serioze e goditjes në tru, që prek kryesisht personat nën 50 vjeç, me rreth 300 raste të regjistruara çdo vit në Holandë, shumica prej tyre gra. Kjo gjendje shkakton bllokim të enëve të gjakut në tru, duke sjellë pasoja të rënda si hemorragjitë cerebrale, dhimbje të forta koke, paralizë dhe kriza epileptike.
Studimi më i madh i realizuar në 25 vitet e fundit për këtë sëmundje përfshiu 619 pacientë nga 23 vende në pesë kontinente. Sipas rezultateve, 65% e pacientëve u trajtuan me DOAC, ndërsa 35% me VKA. Brenda gjashtë muajve nga diagnoza, vetëm 3% e pacientëve në të dyja grupet përjetuan komplikacione si gjakderdhje të madhe ose trombozë të re, duke konfirmuar se të dy trajtimet janë njësoj efektive dhe të sigurta.
Përparësia kryesore e DOAC-ve është se ato nuk kërkojnë kontrolle të shpeshta për përcaktimin e dozës, gjë që i lehtëson ndjeshëm pacientët. Neurologu dhe udhëheqësi i studimit, Jonathan Coutinho, deklaroi se ky zbulim pritet të ndryshojë standardet ndërkombëtare të trajtimit dhe DOAC-të të bëhen terapia standarde për këtë sëmundje në të ardhmen/GazetaShneta/


