Në ambientet e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri është zhvilluar ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të këtij institucioni shëndetësor. Me përfundimin e mandatit të saj të rregullt, dr. Shefkije Shatri ia dorëzoi detyrën ushtruesit të ri të detyrës, dr. Fitim Meniqi.
Gjatë kësaj ceremonie , dr. Shatri falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK-në, stafin e spitalit si dhe pacientët për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë mandatit të saj, duke veçuar disa nga të arriturat kyçe në këtë periudhë:
• Funksionalizimi i repartit të emergjencës me katër mjekë specialistë me kontratë të rregullt;
• Licencimi dhe akreditimi i parë i kabinetit të Radiologjisë;
• Krijimi i gjysmë intensives në repartin e internos;
• Funksionalizimi i CT-së;
• Plotësimi i stafit infermierik në shumicën e njësive të spitalit;
• Digjitalizimi i sistemit të termineve për ambulancat specialistike;
• Funksionalizimi i sistemit qeveritar të IT-së;
• Pranimi i disa autoambulancave si donacion nga Ministria e Shëndetësisë dhe donatorë të tjerë;
• Përfitimi i të drejtës së pronës komunale për ndërtimin e aneksit të spitalit;
• Finalizimi i projektit për zgjerimin e Spitalit në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nga ana tjetër u.d. drejtor dr. Fitim Meniqi shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e dr. Shatrit, duke theksuar se do të vazhdojë rrugën e filluar me përkushtim dhe plane konkrete për avancimin e mëtejmë të shërbimeve shëndetësore në të mirë të qytetarëve të Vushtrrisë.
Dr. Meniqi, i cili është specialist i Radiologjisë, më parë ka punuar si mjek i përgjithshëm në QKMF në Vushtrri dhe më pas si radiolog e shef i Radiologjisë në Spitalin “Sheikh Zayed”.
Nga data 10 prill 2025, ai zyrtarisht është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të këtij spitali.



