Spitali i Prizrenit mbetet një ndër institucionet kryesore shëndetësore të Kosovës, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh për qytetarët nga rajoni dhe më gjerë.
Drejtoresha e këtij spitali, Dr. Narqize Arenliu-Hoxhaj, në një intervistë për Gazetën Shneta, thekson se ky është spitali i dytë për nga rëndësia dhe numri i shërbimeve në vend, me mbi 200 mijë pacientë që marrin shërbime aty, përfshirë edhe pacientë nga veriu i Shqipërisë.
“Shërbimet që ofrohen në spitalin tonë përfshijnë të gjitha fushat që i takojnë kujdesit sekondar. Vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 195 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në Spitalin e Prizrenit” u shpreh ajo.
Në kuadër të shërbimeve të reja janë zhvilluar laboratori i kateterizimit dhe kardiologjia invazive, dhe gjatë kësaj periudhe janë realizuar 771 intervenime në bashkëpunim me mjekë nga QKUK.
“Vitin e kaluar ka hyrë në funksion edhe kardiologjia invazive, ku janë kryer gjithsej 771 intervenime – nga to 198 stentime dhe 573 koronografi – që nga hapja e laboratorit, për pacientët që i përkasin rrethinës së Prizrenit,” tha Dr. Arenliu-Hoxhaj.
Ndërsa sa i përket shërbimit të dializës, Dr. Arenliu-Hoxhaj u shpreh se është një nga shërbimet më të kërkuara.
“Shërbimi i dializës është mjaft i rëndësishëm për regjionin e Prizrenit, ku për momentin marrin shërbime rreth 220 pacientë, përfshirë edhe 17 nga veriu i Shqipërisë, të cilët trajtohen rregullisht me hemodializë në Spitalin e Prizrenit,” shtoi ajo.
Për këto dhe detaje të tjera shihni videon më poshtë:




