Një studim i ri sugjeron se përdorimi i teknologjisë nga të moshuarit mund të jetë po aq mbrojtës ndaj demencës sa ushtrimet fizike apo niveli i lartë arsimor.
Të moshuarit që janë të aftë të përdorin teknologjinë mund të kenë më pak gjasa të përballen me dëmtime njohëse ndërsa plaken, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Prej vitesh, shkencëtarët kanë shprehur shqetësime nëse prania e përditshme e teknologjisë ndikon negativisht apo pozitivisht në funksionin mendor gjatë plakjes.
Ky hulumtim i publikuar në revistën “Nature Human Behaviour”, është i fundit që anon nga përfundimi se teknologjia ndihmon.
Studimi përfshiu të dhëna nga 57 studime me më shumë se 411,000 të rritur mbi moshën 50 vjeç nga e gjithë bota, të gjithë me një diagnozë ose testim të funksioneve njohëse.
Studiuesit i emërtuan individët prej 68 vjeç, si “pionierë dixhitalë”, pasi ata nuk kishin pasur qasje në internet gjatë fëmijërisë.
Analiza tregoi se të moshuarit që përdornin telefona inteligjentë, kompjuterë ose internet, kishin një rrezik më të ulët për dëmtime njohëse sesa ata që i shmangnin pajisjet teknologjike.
Gjatë disa viteve të ndjekjes, të moshuarit që zotëronin aftësi dixhitale kishin gjithashtu më pak gjasa të përjetonin rënie të funksioneve mendore.
Lidhja mes përdorimit të teknologjisë dhe shëndetit të trurit rezultoi të ishte po aq e fortë – madje më e fortë – se faktorë të tjerë që njihen si mbrojtës ndaj demencës, si presioni i ulët i gjakut, ushtrimet fizike, arsimi i lartë dhe aktivitetet që stimulojnë mendjen. /Gazeta Shneta/


