Seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë sërish.
Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari tha se “nuk pati konsensus” në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai.
“Ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti”, tha Dehari, ndërsa deputetët nisën të dilnin nga salla kryesore e Kuvendit.
Para ndërprerjes, siç tha kryesuesi, 100 deputetë ishin të pranishëm.
Konsultimet nuk parashiheshin në skenarin zyrtar të seancës konstituive.
Në të thuhet se punimet e seancës “vazhdojnë”, ndërsa ato u ndërprenë për disa minuta pasi Dehari i thirri përfaqësuesit e partive politike në një sallë tjetër për “konsultime se si do të vazhdohet tutje” për shkak që, siç tha “të mos bëjmë ndonjë shkelje procedurale, ligjore ose kushtetuese”.
Sipas skenarit, kryesuesi do të duhej t’u kërkonte deputetëve të votojnë për raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Seanca konsituive e cila nisi të martën dhe atë ditë vazhdoi vetëm deri pas procesit të votimit të raportit të komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve (52 deputetë votuan për këtë raport, 46 kundër dhe 11 abstenuan), nuk ka vazhduar as deri aty sot.
Pasi LVV-ja tha se ishte para një situate të cilës pretendon se nuk ia di vazhdimin, këtë ia tregoi presidentja Vjosa Osmani, e cila të mërkurën i ktheu përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për t’i thënë se seanca konstituive e Kuvendit e ndërprerë të martën, do të duhej të vazhdonte sot, pasi ai i kishte kërkuar mendim për rrugën që duhej ndjekur më tej.
Sipas Deharit, “letra ka dhënë sqarime në një aspekt, por nuk ka dhënë zgjidhje përfundimtare”.
LVV-ja pretendon se e ka shumicën e votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por në seancën konstituive që nisi të martën nuk u dëshmua kjo, pasi raportin e komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve e votuan vetëm 52 deputetë, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti të martën, pasi thanë se në të kundërtën do ta shkelnin ligjin. Ato thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë.
LVV-ja pretendoi se në komisionin e përkohshëm atë ditë kishte paraqitur një letër e dorëheqjes së Kurtit nga pozita e kryeministrit, por këto parti nuk e konsiderojnë atë akt të njëmendtë dorëheqjeje. Në fakt kështu mendon edhe Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili letrën e konsideron “jovalide” dhe thotë se s’ka “asnjë vlerë”.




