Fruthi, një nga sëmundjet më ngjitëse të njohura deri më sot, po shënon rikthimin e tij të frikshëm në Shtetet e Bashkuara, me mbi 800 raste të konfirmuara deri më 19 prill 2025.
Teksasi mbetet epiqendra e këtij shpërthimi me 597 raste të raportuara, duke përfshirë edhe dy vdekje të fëmijëve të pavaksinuar. Një viktimë tjetër, një i rritur i pavaksinuar, është regjistruar në New Mexico.
Fruthi është një virus që përhapet me shpejtësi përmes ajrit – vetëm një kollë apo teshtimë nga një person i infektuar mjafton për të përhapur virusin te të tjerët.
Megjithatë, është një sëmundje plotësisht e parandalueshme përmes vaksinës MMR (Fruth, Shytë, Rubeolë).
Autoritetet shëndetësore raportojnë shpërthime në më shumë se 10 shtete, përfshirë Indiana, Ohio, Michigan, Pennsylvania, Kansas, Oklahoma dhe New Mexico.
Rastet janë përhapur veçanërisht në komunitete ku niveli i vaksinimit është i ulët, siç është komuniteti Mennonit në Gaines County të Teksasit, ku janë regjistruar më shumë se 370 raste – mbi 1% e popullsisë lokale.
Rënia e normave të vaksinimit, e lidhur me pandeminë dhe rritjen e refuzimeve për arsye personale apo fetare, ka rritur rrezikun për përhapje të sëmundjeve që dikur konsideroheshin të eliminuara në SHBA.
Kujtojmë se fruthi ishte shpallur i eliminuar në SHBA në vitin 2000.
Në nivel ndërkombëtar, fruthi po përhapet gjithashtu me shpejtësi. Ontario, Kanada ka regjistruar 925 raste, ndërsa shteti Chihuahua në Meksikë raporton 433 raste, të cilat sipas OBSH-së lidhen me shpërthimin në Teksas.
Ekspertët paralajmërojnë se, në mungesë të vaksinimit të gjerë, fruthi mund të bëhet një kërcënim serioz për shëndetin publik në mbarë vendin.
Simptomat përfshijnë ethe të larta, skuqje të lëkurës, hundë që rrjedh, kollë dhe sy të skuqur, ndërsa ndërlikimet mund të çojnë në pneumoni, verbëri, edemë të trurit apo edhe vdekje./Gazeta Shneta/




