Një studim i paraqitur në Takimin e Shoqatave Akademike Pediatrike (PAS) 2025 në Honolulu ka zbuluar se vizitat përmes telemjekësisë në kujdesin parësor pediatrik çojnë në më pak përshkrime të antibiotikëve për infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes, krahasuar me vizitat fizike.
Studiuesit analizuan më shumë se 540,000 vizita pediatrike në 843 qendra të kujdesit parësor në SHBA dhe zbuluan se gjatë vizitave të para me telemjekësi, mjekët përshkruan 12% më pak antibiotikë krahasuar me vizitat ballë për ballë.
Pavarësisht mënyrës së vizitës, normat e ndjekjes së udhëzimeve klinike ishin të ngjashme dhe të larta në të dy format.
Brenda dy javëve pas vizitës fillestare, fëmijët që kishin marrë shërbimin përmes telemjekësisë nuk morën më shumë antibiotikë sesa ata që u vizituan në mënyrë tradicionale, transmeton Gazeta Shneta.
“Rezultatet tregojnë se telemjekësia, kur përdoret brenda sistemit të kujdesit parësor, mundëson trajtim të sigurt dhe të përshtatur me udhëzimet mjekësore,” tha Samuel Wittman, analist i të dhënave kërkimore në Universitetin e Pittsburgh dhe autor prezantues.
Studiuesit theksuan gjithashtu se integrimi i telemjekësisë në kujdesin parësor pediatrik rrit aksesin në kujdes shëndetësor, veçanërisht për familjet që përballen me barriera kohore, financiare ose të transportit.
Kjo qasje mund të ndihmojë në uljen e përshkrimeve të panevojshme të antibiotikëve dhe në parandalimin e rezistencës antimikrobiale./Gazeta Shneta/


