Shtimi i kripës së kaliumit në dietën tuaj mund të jetë një mënyrë më e lehtë dhe më efektive për të ulur tensionin e gjakut sesa thjesht zvogëlimi i konsumit të kripës së natriumit (kripës së zakonshme), sipas një studimi të ri.
Ky studim, i botuar në revistën “American Journal of Physiology–Renal Physiology”, ndërtohet mbi atë që shkenca ka kuptuar prej kohësh: që natriumi (sodiumi) dhe kaliumi punojnë së bashku për të rregulluar tensionin e gjakut, shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
“Zakonisht, kur kemi tension të lartë të gjakut, na këshillojnë të marrim më pak natrium [ushqime të kriposura],” tha autorja e studimit, Dr. Anita Layton, nga Universiteti i Waterloos në Kanada.
Megjithatë, studimi i ri “tregon se shtimi i më shumë ushqimeve të pasura me kalium në dietë, si bananet apo brokoli, mund të ketë një ndikim më pozitiv në tensionin e gjakut sesa vetëm zvogëlimi i natriumit”, tha ajo.
Layton dhe ekipi i saj shqyrtuan se si raporti mes kaliumit dhe natriumit ndikon në trup.
Duke përdorur një model matematikor, autorët simuluan se si raportet e ndryshme kalium-natrium ndikonin në sistemet e trupit, përfshirë sistemin renal (veshkat), sistemin kardiovaskular dhe atë gastrointestinal. “Në thelb përdora matematikën si mikroskopin tim,” tha Layton.
Në përfundim, studiuesit zbuluan se rritja e kaliumit në dietë ndihmonte në uljen e tensionit të gjakut, edhe kur nivelet e natriumit ishin të “larta” apo “normale” — sa herë që rritej kaliumi, tensioni i gjakut ulej, pavarësisht sasisë së natriumit.
Studiuesit gjithashtu zbuluan një ndryshim të rëndësishëm kur morën në konsideratë gjininë në modelet matematikore: burrat kishin më shumë gjasa të përjetonin një ulje më të madhe të tensionit të gjakut pas rritjes së raportit kalium-natrium sesa gratë para menopauzës. (Kjo është me rëndësi sepse tensioni i gjakut zakonisht rritet pas menopauzës.)
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto gjetje duhet të merren me rezervë: modelet kompjuterike janë një mënyrë e shpejtë, e lirë dhe etike për të simuluar trupin e njeriut, por Layton theksoi se ato janë një “afrim i përafërt me fiziologjinë”. /Gazeta Shneta/


