Një ilaç me recetë për trajtimin topikal të rënies së flokëve mund të shkaktojë efekte anësore të zgjatura, përfshirë mosfunksionim erektil, ankth dhe mjegull në tru, paralajmëroi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Finasteridi, që shitet në formë orale si Propecia dhe Proscar, është një ilaç që trajton rënien e flokëve duke parandaluar që testosteroni të shndërrohet në një hormon tjetër të quajtur dihidrotestosteron (DHT).
Sipas një raporti të kryer nga Epic Research për burimin NBC News, recetat për finasterid janë rritur me 200% te meshkujt mbi 25 vjeç gjatë shtatë viteve të fundit.
Rritja është nxitur kryesisht nga qasja e zgjeruar përmes kompanive të telemjekësisë që ofrojnë ilaçin në formë pilule ose spreji topikal.
Përdorimi i finasteridit nuk është i rrezikshëm në vetvete, por forma orale e tij është lidhur me efekte anësore seksuale, mendore dhe fizike që mund të vazhdojnë edhe pasi ndalet përdorimi – një gjendje e rrallë e quajtur sindroma pas-finasteridike (PFS).
Sa i përket finasteridit topikal, FDA tha se përthithja “përmes lëkurës në qarkullimin e gjakut është e pritshme dhe raportet përshkruajnë efekte anësore të ngjashme me ato të formës së miratuar orale të finasteridit.”
Sipas FDA-së, disa persona që raportuan efekte anësore thanë se nuk ishin të vetëdijshëm për rreziqet para se të përdornin finasteridin topikal.
Agjencia i bëri thirrje profesionistëve shëndetësorë të informojnë pacientët për rreziqet dhe qytetarët të kërkojnë informacione përpara përdorimit.
“Një nga problemet është se këto produkte topikale janë të disponueshme edhe pa u konsultuar me një dermatolog,” tha Dr. Ronda Farah, profesoreshë e asociuar e dermatologjisë në Universitetin e Minnesotës, e specializuar në rënien e flokëve.
Efektet anësore të raportuara te FDA
Ndërsa Propecia dhe Proscar janë miratuar nga FDA që në vitet 1990, agjencia nuk ka miratuar asnjë formë topikale të këtij ilaçi.
Megjithatë, është e zakonshme që finasteridi topikal të përshkruhet “off-label” (jashtë indikacionit të miratuar), gjë që është e ligjshme në SHBA.
“Ne përshkruajmë vazhdimisht ilaçe ‘off-label’ – përdorim të barnave që nuk janë studiuar specifikisht për një qëllim të caktuar, dhe kjo është në rregull. Por kjo gjithashtu do të thotë që finasteridi topikal nuk ka kaluar nëpër testime të rrepta,” tha Dr. Deirdre Hooper, dermatologe e certifikuar nga bordi në Audubon Dermatology.
Finasteridi topikal prodhohet nga barnatoret përbërëse, të cilat krijojnë versione alternative të barnave, për shembull pa përbërës të caktuar ose me doza të ndryshme nga standardi.
Në paralajmërimin e ri, FDA dokumentoi 32 raste me efekte anësore të raportuara për finasteridin topikal midis viteve 2019 dhe 2024.
Efektet përfshijnë mosfunksionim erektil, ankth, mendime vetëvrasëse, mjegull në tru, depresion, lodhje, pagjumësi, rënie të dëshirës seksuale dhe dhimbje në testikuj – pas përdorimit të produkteve të përbëra që përmbanin finasterid vetëm ose të kombinuar me përbërës të tjerë aktivë, tha FDA.
“Nuk mendoj që ky është një ilaç që duhet të merret pa u konsultuar me mjekun,” tha Dr. Hooper, duke shtuar se ajo nuk përshkruan finasterid topikal në praktikën e saj, por jep recetë për formën orale. “Është një bisedë që kërkon kujdes”. /Gazeta Shneta/


