Në Klinikën e Neurologjisë në QKUK janë regjistruar mbi 600 pacientë me sklerozë multiple, një ndër sëmundjet më të ndërlikuara neurologjike që prek të rinjtë.
Kështu bëri të ditur Dr. Blerim Myftiu, neurolog në këtë klinikë, i cili theksoi se çdo vit në vend diagnostikohen rreth 60 raste të reja, shkruan Gazeta Shneta
“Aktualisht në Klinikën e Neurologjisë të QKUK-së kemi databazën kombëtare të pacientëve me sklerozë multiple. Deri tani janë diku mbi 600 pacientë me këtë sëmundje, dhe numri mund të shkojë deri në 700 aq kemi arritur t’i identifikojmë.” deklaroi Dr. Myftiu.
Dr. Myftiu thekson se skleroza multiple është një sëmundje inflamatore dhe pezmatuese e sistemit nervor qendror, që prek trurin dhe palcën kurrizore e cila zakonisht shfaqet te të rinjtë, ndërmjet moshës 18 dhe 40 vjeç.
“Skleroza multiple është një sëmundje e cila prek trurin dhe palcën e kurrizit. Është një sëmundje pezmatuese inflamatore e sistemit nervor qendror, dhe manifestohet te moshat e reja. Manifestimi fillon nga mosha 18-40 vjeçare, por ka edhe raste pediatrike më të hershme.” shpjegon Dr. Myftiu.
Tutje ai shprehet se për dallim nga sëmundjet e tjera neurologjike, skleroza multiple nuk ka një simptomë specifike të qartë.
“Nuk kemi një simptomë specifike klinike që e dallon sklerozën multiple nga sëmundjet e tjera neurologjike, megjithatë ekzistojnë disa simptoma që janë më të shpeshta. Elementi kryesor që na bën të mendojmë për sklerozë multiple është nëse na paraqitet një person i moshës së re, rreth 25-30 vjeç, me humbje apo dobësim të shikimit në njërin sy, marrje ose mpirje në njërën anë të trupit, dobësim i këmbëve, mpirje e të dy këmbëve, urinim i shpeshtë,marramendje”, tha Dr. Myftiu.
Dr. Myftiu shpjegon se sa i përket shkaqeve të sëmundjes, ende nuk është identifikuar një shkaktar i vetëm i qartë, por ekzistojnë vetëm disa hipoteza.
“Shkak i veçantë nuk është identifikuar ende. Ekzistojnë disa hipoteza që mendohet se i hapin rrugë sklerozës multiple. Gjenetika mund të jetë një faktor, ndërsa virusi Epstein-Barr fajësohet më së shumti. Sëmundja konsiderohet autoimune, dhe gjithashtu, mungesa e vitaminës D mund të jetë një prej shkaktarëve të mundshëm,” shtoi tutje ai./Gazeta Shneta/
Për këto dhe të tjera ndiqni videon:




