Një analizë e re, e cila përfshiu gati 114,000 adoleshentë nga 37 vende të Europës, tregon se të rinjtë e kontinentit po largohen gjithnjë e më shumë nga drogat dhe alkooli, por po e përdorin më shpesh cigaren elektronike (vape).
Raporti i njohur si Projekti Evropian i Anketës së Shkollave për Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD), përfshiu nxënës të moshës 15 dhe 16 vjeç dhe ka mbledhur të dhëna për 30 vjet rreth përdorimit të drogave, pirjes së duhanit, konsumimit të alkoolit dhe zakoneve të tjera, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Cigaret dhe alkooli
Pavarësisht se nivelet e pirjes së duhanit kanë rënë që nga vitet 1990, analizat tregojnë se gjasat që vajzat adoleshente të fillojnë pirjen e përditshme të cigareve janë rritur në vitet e fundit.
Ndërkohë, përdorimi i cigareve elektronike vazhdon të rritet: 44% e nxënësve kanë provuar cigare elektronike të paktën një herë, ndërsa 22% thonë se i përdorin rregullisht – një rritje nga 14% pesë vite më parë.
Shumica e adoleshentëve thonë se është e lehtë të gjesh vape, dhe raporti thekson se kjo po nxit shqetësime për përdorimin paralel të cigareve tradicionale dhe atyre elektronike, si dhe për kalimin e përgjithshëm drejt produkteve alternative me nikotinë.
Sidoqoftë, pirja e rëndë e alkoolit vazhdon të jetë problematike në disa vende. Normat më të larta raportohen në Danimarkë (55%), Gjermani (49%) dhe Austri (48%).
Po ashtu, raporti tregon se adoleshentët po fillojnë të konsumojnë alkool në moshë gjithnjë e më të re. Rreth tre në katër nxënës kanë provuar alkoolin, dhe një në tre e ka pirë për herë të parë para moshës 13 vjeç.
Përdorimi i drogave të paligjshme
Në vitin 2024, 12% e nxënësve raportuan se kanë provuar kanabisin, duke e bërë atë drogën e paligjshme më të përdorur në Europë, edhe pse ky është niveli më i ulët që nga viti 1995.
Djemtë janë në përgjithësi më të prirur ta përdorin kanabisin, por diferenca mes gjinive po zvogëlohet.
Pas kanabisit, kokaina dhe ekstazia (MDMA) janë drogat më të zakonshme, të provuara nga rreth 2% e nxënësve. Pas tyre renditen LSD-ja, halucinogjenët e tjerë dhe amfetaminat.
Vlen të theksohet edhe rritja e përdorimit të barnave me recetë për arsye jo mjekësore. Analiza tregon se 8.5% e nxënësve kanë marrë qetësues ose sedativë dhe 6.9% kanë përdorur qetësues të dhimbjeve për të arritur efektin e dehjes. /Gazeta Shneta/




