Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku drejtori i Ortopedisë së Re, është kanosur në vendin e punës nga një person që kërkonte një dokument në lidhje me trajtimin e një pacienti.
Burimet e Sinjalit brenda klinikës bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 30 maj 2025, rreth orës 10:15, nga drejtori Xh.G., rreth 56-vjeçar, i cili ka deklaruar se ishte kërcënuar për jetë nga A.B.- rreth 48-vjeçar, pasi ky i fundit kërkonte me ngulm një dokument që lidhej me një pacient të afërt të tijin.
Sipas dëshmisë së drejtorit, i dyshuari i ishte drejtuar me fjalë kërcënuese në ambientet e klinikës, duke e vënë atë në ndjenjë frike serioze për sigurinë personale.
Ngjarja ka ndodhur në prani të stafit, ndërsa tre dëshmitarë – N.K., Xh.S. dhe I.R. – janë intervistuar nga hetuesit dhe kanë konfirmuar pretendimet e drejtorit.
Në lidhje me rastin, janë njoftuar njësitet e hetimeve të SP Jugu në Prishtinë dhe njësia e hetimeve rajonale, ndërsa prokurori kujdestar ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Rasti është klasifikuar si kanosje serioze dhe aktualisht është nën hetim nga organet kompetente.


