Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) pritet që këtë muaj të miratojë një injeksion të ri kundër HIV-it me veprim afatgjatë, të quajtur lenacapavir.
Ky injeksion do të aplikohet vetëm dy herë në vit, duke përfaqësuar një hap të madh përpara në parandalimin e HIV-it.
Në një studim të zhvilluar nga kompania farmaceutike Gilead Sciences tek gra dhe vajza, asnjë pjesëmarrëse që mori injeksionin nuk u infektua me HIV. Ky sukses i hershëm ka rritur vlerën e aksioneve të kompanisë me 73% gjatë një viti, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Aktualisht, mbi 400,000 persona në SHBA përdorin pilula për parandalimin e HIV-it (PrEP), por Gilead parashikon që kjo shifër të arrijë në 1 milion dekadën e ardhshme.
Sipas një ankete, 95% e përdoruesve të PrEP do ta preferonin një injeksion afatgjatë në vend të marrjes së përditshme të pilulës.
Megjithatë, kompania përballet me disa sfida: sidomos përfshirja e komuniteteve më të rrezikuara, si afro-amerikanët, të cilët përbëjnë 39% të rasteve të reja me HIV, por vetëm 14% të përdoruesve të PrEP. Po ashtu, stigma dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore mbeten pengesa për shumë njerëz.
Gilead thekson se synimi është të zgjerohet përdorimi i PrEP edhe në vendet me të ardhura të ulëta, duke punuar me qeveritë dhe organizatat shëndetësore ndërkombëtare për ta bërë injeksionin të qasshëm në nivel global./Gazeta Shneta/


