Studimet e mëparshme kanë theksuar faktorë të njohur rreziku për Alzheimerin, si mosha, historia familjare dhe gjenetika.
Tani, studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të identifikuar faktorë të rinj dhe të hershëm që mund të parashikojnë zhvillimin e kësaj sëmundjeje deri në shtatë vjet përpara shfaqjes së simptomave, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Nëpërmjet analizës së të dhënave klinike, shkencëtarët kanë zbuluar faktorë të përbashkët rreziku si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe mungesa e vitaminës D. Po ashtu, ata identifikuan faktorë të veçantë sipas gjinisë: disfunksion erektil dhe prostatë të zmadhuar te burrat, si dhe osteoporozë te gratë.
Sipas të dhënave globale, rreth 69 milionë njerëz jetojnë me fazën prodromale të Alzheimerit – kur fillojnë shenjat e rënies së lehtë njohëse – ndërsa 315 milionë të tjerë janë në fazën paraklinike, ku simptomat mungojnë, por ndryshimet në tru tashmë kanë nisur.
Ky hulumtim ofron një hap premtues drejt zbulimit të hershëm dhe mund të ndihmojë në zhvillimin e strategjive parandaluese.
Sipas studiuesve, modeli i ndërtuar me AI ka qenë në gjendje të parashikojë me një saktësi prej 72% se kush do të zhvillojë Alzheimerin në të ardhmen. Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore “Nature Aging”. /Gazeta Shneta/


