Një studim i ri, i publikuar në revistën “BMJ Mental Health”, ka analizuar të dhënat e rreth 1.5 milionë personave në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë gati 38 mijë me sëmundje autoimune si artriti reumatoid, sëmundja inflamatore e zorrëve dhe psoriaza. Gjetjet tregojnë se personat me këto sëmundje kanë gati dy herë më shumë gjasa të preken nga çrregullime të shëndetit mendor.
Sipas studimit, 29% e pacientëve me sëmundje autoimune ishin diagnostikuar gjatë jetës me depresion, ankth apo çrregullim bipolar, në krahasim me 18% të pjesës tjetër të popullsisë. Në mënyrë të veçantë, 26% kishin depresion, 21% ankth dhe 1% çrregullim bipolar, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimi gjeti gjithashtu se pacientët me sëmundje autoimune kishin më shumë gjasa të raportonin histori familjare me probleme të shëndetit mendor. Gratë me sëmundje autoimune ishin më të prekura se burrat – 32% kundrejt 21%.
Sipas studiuesve, ndryshimet hormonale, kromozomale dhe ato në qarkullimin e antitrupave mund të luajnë rol në këtë dallim gjinor.
Këto të dhëna forcojnë lidhjen midis shëndetit mendor dhe atij fizik dhe sugjerojnë se inflamacioni kronik – karakteristikë e sëmundjeve autoimune – mund të ndikojë në shfaqjen e çrregullimeve mendore.
“Shumë psikiatër ende nuk i mendojnë çrregullimet mendore si sëmundje të gjithë trupit,” tha Dr. Daniel Smith nga Universiteti i Edinburgut. Ai theksoi nevojën për skrining të rregullt të shëndetit mendor te pacientët me sëmundje autoimune, veçanërisht gratë, për të mundësuar trajtim të hershëm kur nevojitet. /Gazeta Shneta/


