Cilësia dhe kohëzgjatja e gjumit lidhen ngushtë me shëndetin fizik dhe mendor. Ekspertët rekomandojnë që të rriturit të flenë 7–9 orë në natë për të ruajtur mirëqenien.
Megjithatë, kjo bëhet gjithnjë e më sfiduese me kalimin e moshës. Për ta kompensuar mungesën e gjumit të natës, shumë njerëz flenë gjatë ditës. Por një studim i ri sugjeron se kjo mund të mos jetë një praktikë e dobishme, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studimi, i prezantuar në konferencën “Sleep 2025” në Shtetet e Bashkuara, ka zbuluar një lidhje mes dremitjes gjatë ditës dhe rritjes së rrezikut për vdekshmëri nga të gjitha shkaqet tek të rriturit e moshës së mesme dhe tek më të vjetërit.
Megjithëse studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkakësinë, autorët dyshojnë se dremitja mund të jetë tregues i problemeve të fshehura shëndetësore, e jo shkaktar direkt i vdekshmërisë.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjumi i mjaftueshëm ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kronike si diabeti i tipit 2, tensioni i lartë, sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru. Por teksa njerëzit plaken, gjumi i natës bëhet më i vështirë dhe zakonisht pason me dremitje gjatë ditës.
Dr. Emer MacSweeney, neurologe dhe drejtore ekzekutive në ‘Re: Cognition Health’, e cila nuk ishte pjesë e studimit, tha për MNT se këto rezultate janë të rëndësishme sepse dremitja gjatë ditës mund të jetë shenjë e hershme e rënies së shëndetit apo e çrregullimeve në strukturën e gjumit. Ajo theksoi se gjumi duhet parë si një cikël 24-orësh, ku sjelljet gjatë ditës janë po aq treguese sa ato të natës. /Gazeta Shneta/


