Një studim i fundit nga Universiteti i Kalifornisë – Santa Barbara tregon se shtatzënia nuk ndryshon vetëm trupin, por edhe trurin e gruas. Ndryshimet hormonale – veçanërisht të estrogjenit, progesteronit dhe hormonit hCG – ndikojnë në strukturën dhe funksionin e trurit, përfshirë masën e lëndës gri dhe të bardhë.
Për herë të parë, studiuesit ndoqën nga afër një grua përmes 26 skanimeve MRI dhe analizave të gjakut, që nga 3 javë para shtatzënisë deri dy vjet pas lindjes.
Ata zbuluan se gjatë shtatzënisë ndodhi një reduktim i dukshëm i lëndës gri – pjesës së trurit që përpunon informacionin, kontrollon emocionet dhe kujtesën. Kjo rënie nuk është negative.
Sipas autores së studimit, Dr. Emily Jacobs, ky “hollim” është një formë përmirësimi dhe specializimi i rrjeteve nervore, e ngjashme me proceset që ndodhin në pubertet, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ndërkohë, lënda e bardhë – që lidh pjesë të ndryshme të trurit – u rrit ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë, për t’u kthyer në nivelet e zakonshme pas lindjes. Kjo mund të lidhet me përmirësimin e funksioneve si përqendrimi dhe koordinimi.
Dr. Jacobs thekson se mungesa e të dhënave për neurobiologjinë e shtatzënisë vjen nga një neglizhencë e gjatë e shëndetit të grave në kërkimet shkencore.
Ajo bën thirrje për më shumë investime në këtë fushë për të kuptuar më mirë pasojat e shtatzënisë në shëndetin afatgjatë të trurit dhe për të parandaluar çrregullime si depresioni pas lindjes. /Gazeta Shneta/


