Temperaturat ekstreme të verës nuk janë vetëm të bezdisshme, por edhe të rrezikshme për jetën.
Goditja nga nxehtësia, një gjendje serioze mjekësore, mund të çojë në dështim të organeve dhe vdekje nëse nuk trajtohet në kohë.
Mjeku i përgjithshëm Donald Grant thotë se simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturë të lartë trupi, lëkurë të kuqe dhe të thatë, por paralajmëron se një tregues i rëndësishëm që shpesh injorohet është sjellja e ndryshuar.
“Nëse një person fillon të sillet ndryshe, tregon konfuzion, të folur të paqartë ose bëhet nervoz pa shkak të dukshëm, kjo mund të jetë një shenjë alarmi për goditje nga nxehtësia,” – shpjegon ai.
Dr. Grant thekson se parandalimi është kyç: “Shmangni qëndrimin e gjatë në diell, hidratohuni rregullisht dhe përdorni krem mbrojtës kundër diellit, veçanërisht gjatë orëve të nxehta të ditës. Kremi duhet të riaplikohet çdo dy orë për të qenë efektiv.”
Ai këshillon gjithashtu të vishen rroba të lehta dhe të gjera, të cilat ndihmojnë trupin të ruajë temperaturën dhe parandalojnë dehidratimin. “Një kapelë dhe syze dielli mund të duken si aksesorë të zakonshëm verorë, por në fakt janë mjete të rëndësishme për të parandaluar mbinxehjen,” – shton ai.
Një nga rreziqet kryesore që shoqëron temperaturat e larta është dehidratimi, i cili mund të çojë në lodhje nga nxehtësia një fazë që mund të evoluojë në goditje të plotë nga nxehtësia nëse nuk trajtohet.
Simptomat përfshijnë etje të madhe, gojë të thatë, marramendje dhe urinë të errët.
Dr. Grant apelon për kujdes të shtuar, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj goditjes nga nxehtësia.
“Mos prisni që simptomat të bëhen të rënda. Kujdesi dhe masat parandaluese mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes,” – përfundon ai.


