Shpesh ndodh që ndjesia e lodhjes së vazhdueshme, ngërçet në muskuj apo pagjumësia të justifikohen me stresin e përditshëm.
Por në shumë raste, këto mund të jenë shenja të një mungese të rëndësishme ushqyese — mungesës së magnezit. Ky mineral jetik luan rol thelbësor në funksionimin normal të trupit dhe në mungesë të tij, shëndeti mund të përkeqësohet ndjeshëm.
Magnezi ndihmon në funksionimin e muskujve dhe nervave, ruan rrahjet e zemrës në ritëm të rregullt, mbështet sistemin imunitar dhe është i domosdoshëm për shëndetin e kockave. Kur trupi nuk merr mjaftueshëm magnez, ai fillon të japë shenja të qarta paralajmëruese.
Sipas mjekëve, mungesa e këtij minerali shfaqet shpesh me simptoma si: kontraktime muskulare të pavullnetshme, ndjesi mpirjeje në duar apo këmbë, kapsllëk, të përziera dhe dobësi të përgjithshme. Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia gjithashtu mund të jenë viktima të mungesës së magnezit, pasi ky mineral ndihmon në relaksimin e sistemit nervor.
Kush është më i rrezikuar?
Grupet më të prekura janë personat me diabet, të moshuarit, ata që vuajnë nga diarea e zgjatur, por edhe gratë shtatzëna dhe lehonat. Gjithashtu, disa barna që përdoren për trajtimin e presionit të lartë të gjakut apo të sëmundjeve të tjera mund të ndikojnë në uljen e magnezit në trup.
Nëse mungesa e magnezit nuk trajtohet në kohë, mund të çojë në probleme më të rënda, përfshirë tension të lartë të gjakut, çrregullime të ritmit të zemrës, gurë në veshka apo osteoporozë.
Zgjidhja?
Një dietë e pasur me perime jeshile, drithëra të papërpunuar, fruta të thata, fara dhe banane mund të ndihmojë në përmbushjen e nevojave ditore për magnez. Në rastet kur mungesa është më e thellë, rekomandohet përdorimi i suplementeve, por gjithmonë me këshillim të mjekut.
Shëndeti nuk është luks është përgjegjësi. Kujdesuni për trupin tuaj, dëgjoni shenjat dhe mos e lini mungesën e magnezit të shndërrohet në një problem të heshtur por serioz./Gazeta Shneta/

