Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që përhapet në ajër dhe mund të transmetohet lehtësisht në avionë, autobusë apo trena.
Kohët e fundit, SHBA dhe disa vende të tjera kanë raportuar shtim të rasteve me fruth. Për këtë arsye, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë këshilluar të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë të sigurohen se janë të vaksinuar, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Personat që kanë marrë vetëm një dozë apo forma të inaktivuara të vaksinës mund të kenë nevojë për një dozë përforcuese. Grupi më i rrezikuar për fruth përfshin fëmijët, të moshuarit, personat e pavaksinuar dhe ata me imunitet të dobët – por edhe udhëtarët përballen me rrezik të shtuar, për shkak të hapësirave të mbyllura gjatë udhëtimit.
Fruthi përhapet përmes pikave të ajrit që nxirren gjatë kollitjes apo teshtimës, dhe mund të qëndrojë aktiv në ajër apo sipërfaqe deri në 2 orë.
Sipas mjekut David Cutler, 90% e personave të pavaksinuar infektohen pas ekspozimit. Vaksinimi është mbrojtje shumë efektive (93–97%) dhe ofron imunitet të përjetshëm.
Për të vlerësuar rrezikun individual, udhëtarët duhet të marrin parasysh statusin e tyre të vaksinimit, gjendjen shëndetësore dhe praninë e shpërthimeve aktive në destinacionin e tyre.
Monitorimi i njoftimeve nga CDC dhe OBSH ndihmon në shmangien e zonave me rrezik të lartë.
Ekspertët rekomandojnë të shmangen udhëtimet drejt vendeve me shpërthime fruthi dhe të mbahet distancë nga persona me simptoma. Avionët përbëjnë rrezikun më të madh për shkak të afërsisë së zgjatur me të tjerët dhe mungesës së ventilimit natyral. /Gazeta Shneta/


