Gjatë një misioni mjekësor drejt Gazës në fund të qershorit, një mjek amerikan ishte dëshmitar i konfiskimit të formulës për foshnje nga autoritetet izraelite në pikën kufitare të urës Allenby kalim që lidh Jordaninë me Bregun Perëndimor të pushtuar.
Mjeku kishte me vete formula foshnjore, fasha dhe pajisje të tjera bazike për nënat dhe fëmijët në Gaza – një prej enklavave më të izoluara dhe më të varfëruara në botë.
“Në vitin 2024 janë vizituar mbi 1,765 nëna dhe fëmijë në misione të tilla, por kufizimet në ndihmat humanitare po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë qasjen te më të rrezikuarit,” deklaron Diana Nazzal, kirurge palestinezo-gjermane dhe koordinatore e konvojit shëndetësor që udhëtonte nga Jordania drejt Gazës.
Sipas Nazzal, gjatë ndalesës në Aman – ku grumbullohen misionet ndërkombëtare para hyrjes në Gaza – ajo kishte paralajmëruar mjekun amerikan që të zvogëlonte sasinë e formulës në bagazh.
“Nëse ke vetëm furnizime mjekësore dhe asgjë personale, rrezikon të ndalohesh ose të pengosh gjithë misionin,” i kishte thënë ajo.
Pas këtij paralajmërimi, mjeku vendosi të marrë vetëm tri kuti me formulë. Por, sapo arriti në kufi, edhe ato u sekuestruan nga rojet izraelite.
“Formula për foshnje u konfiskua. Çfarë shpjegimi tjetër mund të ketë, përveçse që uria po përdoret si armë në këtë gjenocid të vazhdueshëm në Gaza?” shton Nazzal për Le Monde, transmeton Gazeta Shneta.
Punonjësit shëndetësorë në Gaza theksojnë se mungesa e formulës për foshnje është alarmante, veçanërisht për të lindurit para kohe apo ata me intolerancë ndaj laktozës. Shumë nëna, të uritura dhe të rraskapitura, nuk janë më në gjendje të ushqejnë vetë fëmijët e tyre.
Që nga marsi i këtij viti, më shumë se 50 fëmijë kanë vdekur nga uria në Gaza, ndërsa ndihmat humanitare vazhdojnë të pengohen. Organizatat ndërkombëtare dhe profesionistët shëndetësorë apelojnë me urgjencë për qasjen e lirë dhe të pakushtëzuar në ndihma bazike, sidomos për nënat dhe foshnjat që përballen me kushte ekstreme.




