Një studim i ri tregon se personat që përdorin Wegovy për menaxhimin e peshës mund të jenë më të rrezikuar nga rënia e flokëve.
Studiuesit zbuluan se personat që merrnin semaglutid—përbërësin aktiv në Wegovy—kishin 50% më shumë gjasa të merrnin një diagnozë për rënie flokësh, krahasuar me ata që përdornin ilaçin tjetër për humbje peshe. Gratë ishin dy herë më të rrezikuara se burrat, shkruan Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Në provat klinike të Wegovy-it, 3.3% e përdoruesve raportuan rënie flokësh, krahasuar me 1.4% në grupin me placebo. Sa më shumë peshë humb një person, aq më i madh duket të jetë rreziku për rënie të flokëve.
Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 3,000 pacientëve dhe morën parasysh faktorë të tjerë që ndikojnë te rënia e flokëve, si sindroma e vezores policistike, depresioni dhe problemet me tiroiden. Megjithatë, shumica e rasteve të raportuara ishin te gratë.
Rënia e flokëve mund të vijë si pasojë e ‘telogen effluvium’, një gjendje e përkohshme ku stresi trupor nga humbja e shpejtë e peshës e shtyn flokun të ndalë rritjen dhe më pas të bjerë.
Semaglutidi gjithashtu mund të ndikojë në oreks dhe përthithjen e lëndëve ushqyese për shkak të efekteve anësore si të vjellat, çka ndikon negativisht në shëndetin e flokëve.
Gratë janë më të rrezikuara edhe për shkak të mungesës së hekurit, veçanërisht gjatë menstruacioneve, si dhe ndryshimeve hormonale nga humbja e shpejtë në peshë.
Ekspertët theksojnë se GLP-1 duhet të përdoren për përmirësim të shëndetit dhe jo për qëllime estetike. Për pacientët me diabet të pakontrolluar ose obezitet ekstrem, përfitimet mund të jenë më të mëdha se rreziku për rënien e flokëve. /Gazeta Shneta/


