SHBA-të kanë raportuar 1,288 raste të fruthit deri më tani në vitin 2025, dhe shpërthimet janë duke vazhduar në më shumë se një duzinë shtetesh.
Shtetet e Bashkuara po përjetojnë vitin më të keq për përhapjen e fruthit në më shumë se tre dekada.
Numri i rasteve në nivel kombëtar arriti në 1,288 të mërkurën, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), megjithëse ekspertët e shëndetit publik thonë se shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë, shkruan Euronews, transmeton Gazeta Shneta.
Numri i rasteve të konfirmuara sipas CDC-së është 14 më i lartë se në vitin 2019, kur SHBA-të pothuajse humbën statusin e eliminimit të sëmundjes së parandalueshme nga vaksina – diçka që mund të ndodhë këtë vit nëse virusi përhapet pa u ndalur për 12 muaj.
Por SHBA-të janë ende larg vitit 1991, kur kishte 9,643 raste të konfirmuara.
Në një deklaratë të shkurtër, qeveria federale tha se CDC “vazhdon të rekomandojë vaksinat (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) si mënyrën më të mirë për t’u mbrojtur nga fruthi”.
Gjithashtu tha se po “mbështet përpjekjet e komunitetit” për të zbutur shpërthimet e vazhdueshme sipas kërkesës.
Katërmbëdhjetë shtete kanë shpërthime aktive; shpërthimet në katër shtete të tjera kanë përfunduar. Shpërthimi më i madh filloi pesë muaj më parë në komunitetet e pavaksinuara në Teksasin Perëndimor.
Tre persona kanë vdekur – dy fëmijë në Teksas dhe një i rritur në New Mexico – dhe dhjetëra të tjerë janë shtruar në spital në të gjithë SHBA-në.
“Ajo që më shqetësoi në fillim të këtij shpërthimi ishte nëse po përhapej në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara, dhe kjo është padyshim ajo që po ndodh tani”, tha Katherine Wells, drejtoresha e shëndetit publik nga Qarku Lubbock në Teksas./Gazeta Shneta/




