Vaksina kundër COVID-19 e kompanisë Moderna ka marrë miratimin e plotë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për përdorim tek fëmijët me probleme shëndetësore që i vënë ata në rrezik më të lartë për sëmundje të rënda.
Ky veprim e bën vaksinën e Moderna-s, të quajtur Spikevax, vaksinën e parë kundër COVID-it për fëmijët në SHBA që miratohet plotësisht, në vend që të përdoret sipas autorizimit të emergjencës.
Vaksina tani mund t’u jepet fëmijëve të moshës 6 muajsh deri në 11 vjeç, por vetëm nëse ata kanë të paktën një problem shëndetësor që rrit rrezikun e tyre për COVID.
“COVID-19 vazhdon të paraqesë një kërcënim të konsiderueshëm potencial për fëmijët, veçanërisht ata me probleme shëndetësore”, tha në një deklaratë drejtori ekzekutiv i Moderna-s, Stéphane Bancel.
“Vaksinimi mund të jetë një mjet i rëndësishëm për të mbrojtur më të vegjlit tanë nga sëmundjet e rënda dhe shtrimi në spital”, shtoi ai.
Spikevax është miratuar plotësisht për personat 12 vjeç e lart. Moderna pret të ketë gati një version të përditësuar të vaksinës për sezonin e virusit 2025-26, shkruan MedicalXpress, transmeton Gazeta Shneta.
Fëmijët e moshës 6 muaj deri në 23 muaj që nuk janë vaksinuar kurrë kanë nevojë për dy vaksina, me një muaj diferencë. Fëmijët mbi 2 vjeç, ose ata që janë vaksinuar tashmë, duhet të bëjnë një vaksinë.
Veprimi i FDA-së vjen disa javë pasi Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., tha se qeveria nuk do ta rekomandonte më vaksinën kundër COVID-it për fëmijë të shëndetshëm ose gra shtatzëna.
Dr. Fiona Havers është një ish-eksperte mjekësore e Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila kohët e fundit u largua nga agjencia për shkak të politikave të reja të vaksinimit të Kennedy-t.
“Mosha e re në vetvete është një faktor rreziku për COVID të rëndë”, tha ajo për STAT News.
“Ne e dimë që më shumë se gjysma e fëmijëve që janë shtruar në spital për COVID janë më pak se 2 vjeç, dhe midis tyre, shumica e tyre nuk kanë ndonjë sëmundje themelore”, shtoi ajo.
Foshnjat nën 6 muaj kanë shkallën e dytë më të lartë të shtrimit në spital për COVID pas të rriturve 75 vjeç e lart, sipas të dhënave të fundit nga Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Këto foshnje janë shumë të vogla për t’u vaksinuar, por edhe fëmijët 6 deri në 23 muajsh kanë një shkallë shtrimi në spital të ngjashme me të rriturit e moshës 50 deri në 64 vjeç.
Havers tha se një grup i CDC-së kishte planifikuar të rishikonte rekomandimet për të inkurajuar vaksinimin kundër COVID-it për fëmijët nën 2 vjeç. Por kjo punë u ndal kur Kennedy shkarkoi të gjithë komitetin e vaksinimit të CDC-së muajin e kaluar.
Ajo tha se kufizimet e reja të FDA-së, së bashku me ndryshimet e shumta të Kennedy-t, mund ta bëjnë më të vështirë për prindërit që duan të vaksinojnë foshnjat e tyre.
Disa mjekë gjithashtu mund të hezitojnë t’ua japin vaksinën fëmijëve të shëndetshëm nëse nuk është miratuar zyrtarisht për ta, shtoi ajo.
“Ata janë naivë ndaj virusit dhe, në përgjithësi, është më e rrezikshme që një foshnjë shumë e vogël të ketë ndonjë lloj infeksioni respirator sesa për një fëmijë më të madh”, tha Havers.
“Pra, ky vendim i FDA-së do t’i lërë foshnjat të cenueshme ndaj sëmundjeve të rënda , dhe prindërit që duan ta mbrojnë foshnjën e tyre nga COVID-i i rëndë do të kenë më pak zgjedhje”./Gazeta Shneta/


