Një studim i ri sugjeron se dieta ka rol të rëndësishëm në rrezikun për zhvillimin e demencës.
Duke përdorur të dhëna nga UK Biobank, studiuesit analizuan ndikimin e pesë llojeve të dietave dhe konfirmuan se mënyrat e të ushqyerit si dieta mesdhetare dhe ajo MIND mund të ulin rrezikun për demencë, ndërsa dietat pro-inflamatore mund ta rrisin atë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit vlerësuan zakonet ushqimore të 131,209 pjesëmarrësve duke përdorur disa indekse: ndjekja e dietës mesdhetare, dieta MIND (një kombinim i dietës mesdhetare me DASH), Pikët e Rekomanduara Ushyqese (që mat konsumin e ushqimeve të shëndetshme si mishi i thatë, produktet e bulmetit me pak yndyrë, frutat dhe perimet), dhe Indeksi Alternativ i Ngrënies së Shëndetshme-2010 (që analizon përputhshmërinë me udhëzimet amerikane për ushqyerje të shëndetshme).
Përveç këtyre, studiuesit përdorën edhe Indeksin e Inflamacionit Dietar të rregulluar për energji (EDII), që llogarit nivelin inflamator të dietës bazuar në marrjen e yndyrave, alkoolit dhe disa vitaminave e mineraleve.
Indekset u ndanë në katër grupe sipas rezultatit, dhe u morën parasysh edhe faktorë të tjerë si aktiviteti fizik, duhanpirja dhe indeksi i masës trupore (BMI).
Në fillim të studimit, pjesëmarrësit kishin moshë mesatare 56 vjeç dhe ishin pa diagnozë të demencës. Pas një periudhe ndjekjeje prej mesatarisht 13.5 vitesh, 1,453 persona zhvilluan demencë. Analiza zbuloi se ndikimi i dietës ishte më i theksuar te gratë dhe te të moshuarit.
Ky studim, i publikuar në revistën “The Journal of Nutrition, Health and Aging”, tregon se përzgjedhja e ushqimeve të pasura me përbërës anti-inflamatorë, si frutat, perimet, arrat dhe drithërat e plota, mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut për demencë dhe të promovojë një plakje më të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


