Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për respektimin të masave të higjienës dhe sjelljes së përgjegjshme në pishinat publike, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurimin e një ambienti të pastër për të gjithë përdoruesit.
Sipas IKSHPK-së, para hyrjes në pishinë duhet bërë dush me ujë të rrjedhshëm, ndërsa përdorimi i rrobave të banjos së pastra është i domosdoshëm. Hyrja në pishinë ndalohet për personat që vuajnë nga sëmundje infektive, të lëkurës apo të traktit tretës, si dhe për ata që kanë plagë të hapura, transmeton Gazeta Shneta.
Gjithashtu, përdoruesve u kërkohet të respektojnë rregullat dhe sinjalizimet në pishinë, të mbajnë fëmijët nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme, si vrapimi apo zhytjet pa kontroll.
Instituti apelon edhe për ndalimin e ndotjes së ujit, duke mos lejuar urinimin apo futjen e ushqimeve dhe pijesh në pishinë. Fëmijët e vegjël duhet të përdorin pelena të posaçme për ujë./Gazeta Shneta/




