Një studim i ri sugjeron se një test i thjeshtë me tampon lëkure mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së Parkinsonit, shumë kohë përpara se të shfaqen simptomat.
Studiuesit zbuluan se përmes analizës së sebumit – një substancë e yndyrshme që prodhohet natyrshëm nga gjëndrat e lëkurës – është e mundur të identifikohen përbërje organike të avullueshme (VOC) që ndryshojnë te personat me Parkinson, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Parkinsoni është një sëmundje neurologjike që prek më shumë se 10 milionë njerëz në mbarë botën dhe ndikon në lëvizjen dhe të folurit.
Aktualisht nuk ekziston shërim dhe as ndonjë test specifik për diagnostikimin e hershëm të saj. Kjo e bën zbulimin e hershëm jashtëzakonisht të rëndësishëm për ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Dr. Drupad K. Trivedi nga Universiteti i Manchesterit, autor i studimit të botuar në “npj Parkinson’s Disease”, thotë se diagnostikimi klinik i tanishëm ndodh shumë vonë.
Sipas tij, analizat me tampone të lëkurës mund të zbulojnë përbërje me aromë të veçantë, të cilat dallojnë te personat me Parkinson dhe ata me çrregullim të gjumit REM, krahasuar me persona të shëndetshëm.
Kjo linjë kërkimi u frymëzua nga Joy Milne, e cila ka ndjeshmëri të pazakontë ndaj aromave dhe kishte vënë re erën e Parkinsonit tek bashkëshorti i saj gjashtë vjet para se ai të diagnostikohej.
Zbulimi i aromës së Parkinsonit është konfirmuar edhe nga qentë e trajnuar për të nuhatur këtë gjendje përmes mostrave të lëkurës. /Gazeta Shneta/


