Shkencëtarët në Australi kanë zhvilluar një trajtim të ri premtues për sëmundjen e Parkinsonit: një injeksion javor që kombinon dy barnat kryesore të përdorura sot, levodopa dhe karbidopa. Ky trajtim me veprim të zgjatur mund të zëvendësojë nevojën për marrjen e shumë tabletave çdo ditë, që shpesh është sfiduese për pacientët.
Parkinsoni është sëmundja e dytë më e zakonshme neurodegjenerative pas Alzheimerit, që prek më shumë se 10 milionë njerëz në mbarë botën, shumica pas moshës 50 vjeç. Kjo gjendje ndodh kur qelizat nervore në një pjesë të trurit të quajtur substantia nigra ndalojnë së prodhuari mjaftueshëm dopaminë, një neurotransmetues i rëndësishëm për lëvizjen, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Simptomat përfshijnë dridhje, ngurtësi muskulore, lëvizje të ngadalta dhe probleme me ekuilibrin dhe koordinimin.
Trajtimi aktual përfshin marrjen disa herë në ditë të levodopës dhe karbidopës, çka mund të jetë e lodhshme për pacientët.
Sipas studimit të publikuar në “Drug Delivery and Translational Research”, injeksioni javor liron gradualisht barnat në trup për shtatë ditë, duke ofruar lehtësim të qëndrueshëm të simptomave.
Sneha Mantri, drejtore mjekësore në ‘Parkinson’s Foundation’, theksoi se nëse ky trajtim rezulton i sigurt dhe efektiv tek njerëzit, dhe mund të ofrojë një alternativë të re dhe më praktike për miliona pacientë në mbarë botën. /Gazeta Shneta/


