Presidenti amerikan Donald Trump është diagnostikuar së fundmi me insuficiencë kronike venoze (CVI), një gjendje e zakonshme, veçanërisht tek të moshuarit mbi moshën 70 vjeç.
Sipas burimit Medical News Today, kjo sëmundje ndodh kur gjaku grumbullohet në venat e këmbëve, duke shkaktuar ënjtje, dhimbje dhe ndryshime në ngjyrën e lëkurës.
Megjithëse mund të jetë e pakëndshme, CVI nuk është një gjendje serioze mjekësore dhe është e trajtueshme, transmeton Gazeta Shneta.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, bëri të ditur më 17 korrik se presidenti kishte shfaqur ënjtje të lehta në pjesën e poshtme të këmbëve, çka çoi në ekzaminime të mëtejshme.
Ultratingujt e venave zbuluan insuficiencë kronike venoze, pa shenja të trombozës së venave të thella (DVT), një gjendje serioze që mund të rrezikojë jetën. Po ashtu, testi i zemrës (EKG) tregoi funksion të rregullt.
Sipas kardiologut Cheng-Han Chen dhe kirurgut vaskular Christopher Yi, shenjat e para të CVI përfshijnë ënjtje në këmbë, ndjesi rëndese, lodhje, kruarje, tharje të lëkurës dhe shfaqje të venave me variçe. Rreth 10–35% e të rriturve në SHBA vuajnë nga kjo gjendje.
Edhe pse CVI nuk është kërcënuese për jetën, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në komplikime si ulçera, dhimbje dhe rrezik më të lartë për DVT.
Trajtimi i hershëm dhe monitorimi mjekësor janë thelbësorë për të parandaluar përkeqësimin. /Gazeta Shneta/




