Cistet ovariane janë qeska të mbushura me lëng që zhvillohen në vezore dhe janë mjaft të zakonshme tek gratë, përfshirë ato shtatzëna.
Shumica e tyre janë të padëmshme dhe nuk kërkojnë trajtim, përveç nëse janë të mëdha ose shkaktojnë shqetësime si dhimbje të legenit, marrëdhënie të dhimbshme ose ndikim në funksionin e zorrëve, shkruan Baby Center transmeton Gazeta Shneta.
Tek gratë shtatzëna, dallohen dy lloje kryesore të cisteve:
– Cistet funksionale, që zhvillohen si pjesë e ciklit menstrual dhe zakonisht zhduken vetë;
– Cistet patologjike, që formohen nga rritje jonormale të qelizave dhe janë më të rralla – vetëm një në 1000 mund të bëhet malinje.
Cistet funksionale gjatë shtatzënisë janë shpesh të vogla (nën 5 cm) dhe zakonisht nuk paraqesin rrezik për nënën apo foshnjën. Ndër cistet e tjera që mund të shfaqen në fillim të shtatzënisë përfshihen:
– Endometriomat, që lidhen me endometriozën. Këto priren të zvogëlohen gjatë shtatzënisë, por mund të ndikojnë në fertilitet në të ardhmen.
– Cistet theca lutein, të cilat lidhen me trajtimet e fertilitetit dhe shkaktohen nga nivele të larta të hormonit hCG.
Në raste të rralla, një cist mund të vazhdojë të rritet ose të shkaktojë shqetësime, dhe nëse mjeku e vlerëson të nevojshme, mund të rekomandohet heqja kirurgjikale.
Zakonisht pritet deri në tremujorin e dytë për të shmangur rrezikun e abortit. Megjithatë, shumica e cisteve mbeten beninje dhe pa komplikime. /Gazeta Shneta/


