Rregullatorët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për një injeksion gjashtëmujor për parandalimin e HIV-it, i vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha mjekësore të vitit 2024.
Ilaçi lenacapavir, i zhvilluar nga kompania Gilead, ka treguar efektivitet 100% në studimet klinike për parandalimin e infeksionit me HIV.
Lenacapavir është një formë e profilaksisë para ekspozimit (PrEP), që parandalon shumëzimin e virusit brenda trupit dhe ul ndjeshëm rrezikun e infektimit tek të rriturit dhe adoleshentët. Komiteti këshillues i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dha mendim pozitiv për ilaçin, duke hapur rrugën për miratimin e tij zyrtar nga Komisioni Evropian në muajt në vijim.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të zgjeruar mundësitë e parandalimit, sidomos për ata që përballen me pengesa në qasje,” tha Dr. Dietmar Berger nga Gilead.
Pavarësisht përparimeve, rastet e reja të HIV-it janë rritur. Në vitin 2023, mbi 24,700 raste të reja u raportuan në BE, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji – një rritje prej 11.8% krahasuar me 2022.
EMA vlerëson se PrEP është thelbësore në kontrollin e HIV-it, por përdorimi i saj shpesh është i pamjaftueshëm për shkak të qasjes së kufizuar dhe nevojës për marrje të përditshme.
Lenacapavir, që pritet të tregtohet në BE me emrin Yeytuo, tashmë është miratuar në SHBA dhe do të shitet në versione gjenerike në 120 vende me të ardhura të ulëta. Megjithatë, mbetet e paqartë shpërndarja globale pas shkurtimit të fondeve amerikane për shëndetin publik. /Gazeta Shneta/


