Një studim i ri ka konfirmuar se personat që ndjekin një dietë me ushqime minimalisht të përpunuara humbin më shumë peshë se ata që konsumojnë ushqime shumë të përpunuara. Të dy grupet humbën kilogramë gjatë periudhës së testimit, por grupi me ushqime të pakta në përpunim arriti rezultate dyfish më të mira.
Studimi, i botuar në “Nature Medicine”, u zhvillua sipas udhëzimeve të “UK Eatwell Guide”, duke garantuar që të dy grupet merrnin një dietë të ekuilibruar. Diferenca e vetme ishte përqindja e ushqimeve të përpunuara në dietën e tyre, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Pjesëmarrësit që ndoqën një dietë me ushqime minimalisht të përpunuara konsumuan mesatarisht 289.9 kalori më pak në ditë dhe humbën rreth 2% të peshës trupore. Kjo, sipas autorëve, mund të përkthehej në një humbje deri në 13% për burrat dhe 9% për gratë brenda një viti.
Ndërkohë, grupi që konsumoi ushqime të përpunuara uli marrjen ditore me vetëm 119.5 kalori dhe humbi rreth 1% të peshës trupore.
Rezultatet sugjerojnë se reduktimi i ushqimeve të përpunuara jo vetëm që ndihmon në uljen e kalorive të tepërta, por gjithashtu rrit efektivitetin e një diete të ekuilibruar.
Autorët theksojnë se edhe pse dieta e shëndetshme është bazë për humbjen e peshës, shmangia e ushqimeve shumëpërpunuara ofron një përparësi të qartë për ata që kërkojnë të mbajnë një peshë të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


