Një shpërthim i sëmundjes së Legionelës në lagjen Harlem Qendror të Nju Jorkut ka shkaktuar deri tani katër viktima dhe ka infektuar 101 persona, kanë konfirmuar autoritetet shëndetësore të qytetit.
Bakteri Legionella, që shkakton sëmundjen, është gjetur në 12 kulla ftohëse në 10 ndërtesa, përfshirë edhe atë të spitalit publik NYC Health + Hospitals/Harlem.
Kullat e ftohjes përdoren për rregullimin e temperaturës në ndërtesa të mëdha, por nëse nuk pastrohen siç duhet, ato mund të bëhen burim përhapjeje të bakterit përmes avullit në ajër, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Kryetari i Bashkisë, Eric Adams, tha më 14 gusht se 11 nga 12 kullat e testuara tashmë kanë përfunduar procesin e pastrimit dhe deri nesër pritet të përfundojë edhe e fundit.
“Ajri është i sigurt për t’u marrë frymë dhe rastet e reja po shënojnë rënie çdo ditë,” u shpreh Adams.
Departamenti i Shëndetit i Nju Jorkut theksoi se ujësjellësi dhe sistemi i brendshëm i ndërtesave nuk lidhen me kullat e ftohjes, prandaj uji i rubinetit është i sigurt për pije dhe përdorim.
Shpërthimi u shpall më 25 korrik, ndërsa deri tani 11 kulla ftohëse kanë rezultuar pozitive për bakterin Legionella pneumophila.
Komisionerja e Shëndetit, Dr. Michelle Morse, tha se inspektorët po vazhdojnë të punojnë me pronarët e ndërtesave për të garantuar testim dhe pastrim të rregullt. “Lajmi i mirë është se rastet e reja kanë nisur të bien, çka tregon se burimet e bakterit janë izoluar,” tha ajo, duke u bërë thirrje banorëve të zonës që kanë simptoma gripi të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sëmundja e Legionelës është një formë pneumonie, simptomat e së cilës përfshijnë kollë, temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe vështirësi në frymëmarrje.
Sëmundja trajtohet me antibiotikë, por në rastet e patrajtuara mund të shkaktojë komplikime serioze si dështim të mushkërive apo edhe vdekje.
Rreth 10% e të prekurve nga kjo sëmundje humbin jetën, ndërsa më të rrezikuar janë të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar./Gazeta Shneta/




