Një analizë e re tregon se përdorimi i cigareve elektronike tek adoleshentët dhe të rinjtë në të 20-at lidhet me një rrezik më të lartë për të filluar pirjen e duhanit, përdorimin e marihuanës dhe konsumimin e alkoolit.
Studimi, i publikuar në revistën Tobacco Control, lidh gjithashtu vaping-un me probleme të mundshme shëndetësore, përfshirë astmën, kollën, dëmtime trupore dhe shëndetin mendor.
Të dhënat nga 56 studime të publikuara midis viteve 2016 dhe 2024 treguan se të rinjtë që përdorin cigare elektronike janë rreth tre herë më të prirur të fillojnë të pinë duhan sesa ata që nuk përdorin, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Ata gjithashtu kanë probabilitet më të lartë për të konsumuar marihuanë dhe alkool, përfshirë alkool në sasi të mëdha.
Disa nga efektet shëndetësore mund të lidhen me kalimin nga cigaret elektronike tek cigaret tradicionale, të cilat sjellin një gamë të gjerë dëmesh shëndetësore.
Studimi vuri në dukje gjithashtu një rritje të diagnostikimit të astmës mes përdoruesve të vapes, ndërsa disa vlerësime sugjerojnë rritje të rrezikut për dëmtime të trurit dhe probleme të shëndetit mendor.
Ekspertët theksuan se më shumë kërkime janë të nevojshme për të kuptuar nëse vaping është shkaktar apo pasojë e këtyre problemeve, por gjetjet ngrenë shqetësim për politikat shëndetësore që synojnë mbrojtjen e adoleshentëve nga përdorimi i cigareve elektronike./Gazeta Shneta/


