Deri më tani, një boshllëk i madh në trajtimin e malaries ishte kujdesi për të porsalindurit dhe bebet që infektoheshin me këtë sëmundje, por nuk ishin mjaftueshëm të fortë për të marrë mjekimet e zakonshme.
Historia e Alice Nekesa, një fermere nga Uganda, tregon këtë problem: ajo pësoi abort spontan në muajin e katërt të shtatzënisë për shkak të malaries së patrajtuar. Raste të ngjashme, me lindje të vdekur apo foshnja që vdesin pas lindjes nga malaria e padiagnostikuar, janë të zakonshme për punonjësit shëndetësorë në vend.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2023 malaria shkaktoi 597,000 vdekje në mbarë botën, 95% e tyre në Afrikë. Më shumë se tre të katërtat ishin fëmijë. Vetëm në Uganda pati 12.6 milionë raste dhe gati 16,000 vdekje, shumica tek fëmijët nën pesë vjeç dhe gratë shtatzëna, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ndërkohë, muajin e kaluar, autoritetet mjekësore zvicerane miratuan një ilaç të ri nga kompania farmaceutike Novartis, të quajtur Coartem Baby. Ky ilaç është i përshtatur posaçërisht për foshnjat që peshojnë 2 deri në 5 kilogramë. Tableta me shije të ëmbël tretet lehtësisht në lëngje si qumështi i gjirit, duke e bërë atë të përshtatshëm për fëmijët.
Ky është një version me dozë më të ulët i një medikamenti të përdorur prej kohësh për fëmijët më të rritur. Para kësaj, mjekët shpesh u jepnin foshnjave ilaçe për moshë më të madhe, duke rrezikuar për mbidozim ose efekte toksike.
OBSH e miratoi ilaçin përmes një procedure të shpejtuar, në mënyrë që vendet në zhvillim të kenë akses më të shpejtë në trajtim. /Gazeta Shneta/


