Një studim i madh ndërkombëtar, i udhëhequr nga Karolinska Institutet dhe publikuar në Nature Mental Health, ka zbuluar se depresioni i madh (MDD) jo vetëm që rrit rrezikun për një sërë sëmundjesh dhe problemesh sociale, por gjithashtu ndikohet nga faktorë si vetmia, obeziteti, pirja e duhanit dhe dhimbjet kronike.
Studiuesit përdorën metodën Mendelian Randomization, e cila analizon variantet gjenetike për të testuar shkakësinë mes faktorëve të ndryshëm dhe depresionit.
Nga mbi 200 variabla të shqyrtuara, u identifikuan 135 marrëdhënie ku depresioni ishte ose shkak, ose pasojë. shkruan MedicalXoress transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se depresioni shpesh ushqehet nga faktorë socialë dhe mjekësorë, por njëkohësisht ai vetë kontribuon në probleme të shumta, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2, dhimbjet kronike, inflamacionin, si dhe vështirësi në marrëdhënie, të ardhura më të ulëta dhe mendime suicidale.
Shumë prej këtyre lidhjeve ishin dy-drejtimëshe: për shembull, vetmia rrit rrezikun e depresionit, ndërsa depresioni e shton ndjenjën e vetmisë.
Megjithatë studiuesit theksojnë se ndikimi i depresionit mbi problemet e tjera është më i fortë sesa e kundërta.
Sipas autorëve, zgjidhja qëndron në një qasje të dyfishtë: reduktimi i faktorëve rrezikues si pirja e duhanit, obeziteti apo izolimi social, dhe trajtimi në kohë i depresionit për të parandaluar përkeqësimin e shëndetit fizik dhe social.
“Depresioni duhet parë si pasojë e kushteve të pafavorshme, por edhe si një motor i fuqishëm i problemeve shëndetësore dhe sociale,” theksoi Lu Yi, autor kryesor i studimit./Gazeta Shneta/


