Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë dritën jeshile për Signos Glucose Monitoring System, pajisjen e parë për matjen e glukozës në gjak pa recetë, e cila synon të ndihmojë përdoruesit në menaxhimin e peshës dhe shëndetit metabolik.
Pajisja kombinon sensorin Stelo by Dexcom me një platformë të mbështetur nga inteligjenca artificiale. Përmes saj, përdoruesit mund të shohin në kohë reale se si ushqimi, aktiviteti fizik, stresi, gjumi dhe koha e vakteve ndikojnë në trup.
Këto të dhëna përkthehen në rekomandime të personalizuara që ndihmojnë në krijimin e zakoneve më të shëndetshme ditore, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Signos nuk është vetëm një produkt, por një mision. Synojmë t’u japim njerëzve mundësinë të kenë kontroll mbi shëndetin dhe peshën e tyre në një mënyrë që nuk është parë më parë,” tha Sharam Fouladgar-Mercer, themelues dhe CEO i kompanisë.
Përveç matjes së glukozës, sistemi ofron udhëzime metabolike individuale dhe sugjerime të bazuara në të dhënat biologjike, duke ndihmuar në përmirësimin e gjumit, menaxhimin e peshës dhe uljen e rrezikut nga sëmundjet kronike.
Abonimi në Signos kushton 139 dollarë në muaj për planin tremujor ose 129 dollarë në muaj për planin gjashtëmujor, duke përfshirë të gjithë sensorët e nevojshëm.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), mbi 73 për qind e të rriturve në SHBA kanë mbipeshë ose obezitet. Ndërkohë, një studim global parashikon se deri në vitin 2050, numri i të diagnostikuarve me diabet mund të arrijë në 1.3 miliardë njerëz./Gazeta Shneta/


