Një studim i gjerë nga Instituti i Kërkimeve i Qendrës Shëndetësore të Universitetit McGill ka zbuluar se fëmijët e nënave me diabet gestacional ose të etërve me diabet të tipit 2 kanë një rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar diabet të tipit 1.
Sipas rezultateve të publikuara në eClinicalMedicine, fëmijët e nënave me diabet gjatë shtatzënisë janë 94% më të rrezikuar, ndërsa ata të etërve me diabet të tipit 2 kanë 77% më shumë gjasa të diagnostikohen me diabet të tipit 1, krahasuar me fëmijët e prindërve pa diabet, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Dr. Kaberi Dasgupta, autore kryesore e studimit, thekson se këto gjetje janë thelbësore për diagnostikimin e hershëm.
“Në Kanada, një e katërta e fëmijëve me diabet të tipit 1 diagnostikohen vonë, shpesh duke u paraqitur me ketoacidozë diabetike – një gjendje e rrezikshme, por e parandalueshme,” tha ajo.
Ekspertët sugjerojnë që mjekët të marrin gjithmonë parasysh historinë familjare, jo vetëm të diabetit të tipit 1, por edhe të diabetit gestacional dhe atij të tipit 2, për të identifikuar fëmijët që kanë nevojë për vëmendje të veçantë.
Studimi thekson gjithashtu ndikimin e faktorëve gjenetikë, mjedisorë dhe të stilit të jetesës, si mbipesha dhe ushqyerja, që mund të rrisin gjasat për zhvillimin e sëmundjes. Madje, nivelet e larta të sheqerit në gjak tek prindërit mund të shkaktojnë ndryshime biologjike dhe epigjenetike që rrisin rrezikun tek fëmijët.
Këto rezultate nënvizojnë rëndësinë e monitorimit të hershëm dhe kujdesit të vazhdueshëm për fëmijët e familjeve me histori të diabetit, si dhe nevojën për kërkime të mëtejshme mbi ndikimin ndërbreznor të kësaj sëmundjeje./Gazeta Shneta/


