Një rishikim i fundit ka përmbledhur përfitimet shëndetësore të kafesë duke analizuar të dhënat më të reja.
Për shumicën e njerëzve, konsumimi i moderuar i kafesë sjell përfitime shëndetësore – përfshirë uljen e vdekshmërisë dhe rrezikut për disa sëmundje si sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2. Megjithatë, ka ende faktorë që duhen marrë parasysh, si konsumimi i kafeinës gjatë shtatzënisë, përdorimi i kafesë pa kafeinë, si dhe nevoja për më shumë hulumtime, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rishikimi i botuar në revistën “Nutrients”, shqyrton këto çështje dhe të dhënat më aktuale mbi kafenë, duke përfshirë ndikimin e saj në uljen e rrezikut të vdekshmërisë dhe sëmundjeve të ndryshme.
Sipas FDA-së, kafeja konsiderohet e shëndetshme kur ka më pak se pesë kalori pa shtesa të tjera.
Shumë studime të mëdha kanë treguar se konsumimi i kafesë lidhet me ulje të normave të vdekshmërisë. Një studim zbuloi se pirja e të paktën 2 filxhanëve kafe në ditë ishte e lidhur me një ulje prej 10–15% të rrezikut të përgjithshëm për vdekje.
Një meta-analizë e vitit 2019 tregoi se lidhja ishte jolineare, me përfitimin më të madh te konsumi prej rreth tre filxhanë e gjysmë në ditë.
Si kafeja me kafeinë, ashtu edhe ajo pa kafeinë mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të vdekshmërisë. Efekti duket se vlen për të gjitha llojet e kafesë.
Pirja e 3–5 filxhanëve kafe në ditë mund të ulë rrezikun për sëmundje të zemrës me rreth 15%. Po ashtu, ka prova se kafeja nuk rrit rrezikun për kancer dhe madje mund ta ulë për disa lloje, si kanceri endometrial.
Studimi sugjeron gjithashtu se kafeja mund të ulë rrezikun për lëndime e aksidente, pasi rrit vigjilencën dhe përmirëson lëvizshmërinë.
Mes tjerash, lidhet me uljen e rrezikut për probleme kronike të frymëmarrjes dhe vdekshmërisë nga sëmundjet respiratore. Po ashtu, ul rrezikun për diabetin e tipit 2 – efekt që vlen si për kafenë me kafeinë, ashtu edhe për atë pa kafeinë.
Te personat me diabet, një meta-analizë tregoi se kafeja lidhet me uljen e rrezikut për ngjarje kardiovaskulare, vdekshmëri kardiovaskulare dhe vdekshmëri të përgjithshme.
Kafeja mund të ketë përfitime edhe për mëlçinë dhe veshkat, ndonëse jo aq të mëdha sa mendohej dikur. Po ashtu, ajo mund të ulë rrezikun për çrregullime njohëse me deri në 25% dhe të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të Parkinsonit. /Gazeta Shneta/


