Inspektorati Shëndetësor i ka shqiptuar gjobë QKMF-së në Vushtrri dhe drejtoreshës Naile Gjaka me nga 5 mijë euro, për mos raportim të 200 dozave të vaksinave të gripit.
Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë i ka shqiptuar dy gjoba me nga 5 mijë euro për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe drejtoreshën Naile Gjaka, për siç pretendohet për mos raportim të 200 dozave të vaksinës së gripit, shkruan Gazeta Shneta.
Vendimin për këto gjoba e ka publikuar në rrjetet sociale anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Sylejman Meholli.
Vendimi për gjobitje është marr pas një inspektimi të bërë më datat 9 qershor dhe 7 korrik të këtij viti. Në këto dy inspektime është konstatuar se mungojnë 200 doza të vaksinave të gripit sezonal të furnizuara nga MSh vitin e kaluar.
ISh ka bërë krahasimin e të dhënave të raportuara nga QKMF në komunën e Vushtrrisë si dhe të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
“Nga krahasimi i këtyre të dhënave rezulton mos përputhje prej 200 dozash të vaksinave të gripit të cilat nuk figurojnë të raportuara duke bërë shkelje të dispozitave ligjore…”, thuhet ndër të tjera në vendimin e inspektores Adrian Rexhepi-Zogaj.
Për këtë arsye Rexhepi-Zogaj i ka shqiptuar dënim me gjobë me vlerë prej 5 mijë euro për QKMF-në.
I njëjti dënim i është shqiptuar edhe drejtoreshës së QKMF-së Dr. Naile Gjaka. Edhe Gjaka është gjobitur për arsyen e njëjtë.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga QKMF e Vushtrrisë në lidhje me këtë rast dhe sapo të kthejnë përgjigje do të publikohen. /Gazeta Shneta/




