Studimet e mëparshme kanë treguar se sindroma metabolike mund të çojë në sëmundje si Parkinsoni. Një studim i ri sjell prova shtesë mbi lidhjen mes sindromës metabolike dhe rrezikut për të zhvilluar këtë sëmundje neurodegjenerative.
Studiuesit zbuluan se personat me sindromë metabolike kishin rreth 40% më shumë gjasa të zhvillonin Parkinson krahasuar me ata pa këtë gjendje, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Aktualisht, rreth 31% e popullsisë botërore vuan nga sindroma metabolike – një kombinim problemesh shëndetësore si tensioni i lartë i gjakut dhe obeziteti abdominal, të cilat së bashku rrisin ndjeshëm rrezikun për shumë sëmundje.
Hulumtimet tregojnë se sindroma metabolike lidhet me diabetin e tipit 2, goditjen cerebrale, aterosklerozën, fibrilacionin atrial, dëmtimin e organeve, komplikimet gjatë shtatzënisë dhe disa lloje kanceri.
Kjo gjendje është lidhur gjithashtu me rrezik më të madh për sëmundje neurologjike si rënia njohëse, Alzheimeri dhe Parkinsoni.
Një studim i ri i botuar në revistën “Neurology”, organ zyrtar i Akademisë Amerikane të Neurologjisë, forcon më tej provat mbi këtë lidhje.
Çfarë është sindroma metabolike?
Në këtë studim, studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të mbi 467,000 personave me një moshë mesatare prej 57 vjeç, të ndjekur për një periudhë 15-vjeçare, nga baza e të dhënave UK Biobank.
Rreth 38% e tyre kishin sindromë metabolike, e cila përcaktohet nga prania e të paktën tre prej këtyre faktorëve:
– Obezitet abdominal – perimetër i belit ≥ 102 cm tek burrat ose ≥ 88 cm tek gratë.
– Sheqer i lartë në gjak – glukoza esëll ≥ 100 mg/dL.
– Tension i lartë i gjakut – ≥ 130 mmHg sistolik ose ≥ 85 mmHg diastolik.
– Trigliceride të larta – ≥ 150 mg/dL.
– Kolesterol HDL i ulët – < 40 mg/dL tek burrat ose < 50 mg/dL tek gratë.
Rritje 40% e rrezikut për Parkinson
Në përfundim, studiuesit konstatuan se pjesëmarrësit me sindromë metabolike kishin 40% më shumë gjasa të zhvillonin Parkinson krahasuar me të tjerët.
“Ne zbuluam gjithashtu rrezik më të lartë për Parkinson tek ata që kishin njëkohësisht sindromë metabolike dhe predispozitë gjenetike për Parkinson,” tha Weili Xu, PhD, profesor i epidemiologjisë geriatrike në Institutin Karolinska të Suedisë dhe autor kryesor i studimit.
“Parkinsoni është çrregullimi i dytë më i shpeshtë neurodegjenerativ tek të moshuarit, pas Alzheimerit, ndërkohë që sindroma metabolike prek një në katër të rritur dhe është gjendje që mund të modifikohet,” tha ai. /Gazeta Shneta/


