Ëmbëlsuesit me pak kalori dhe zëvendësuesit e sheqerit, si aspartami, sakarina dhe ksilitoli, përdoren që nga fillimi i viteve 1900.
Studime të mëparshme kanë treguar se përdorimi i tyre mund të ketë rreziqe shëndetësore, përfshirë probleme njohëse. Tani, një studim i ri ofron më shumë prova që sugjerojnë një lidhje mes konsumimit të zëvendësuesve të sheqerit dhe rënies njohëse, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe ata me pak kalori kanë një histori të gjatë. Sakarinë, i pari ëmbëlsues artificial, filloi të shitej për konsumatorët në fillim të viteve 1900.
Që prej viteve 1970, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar gjashtë lloje zëvendësuesish të sheqerit për përdorim në ushqime – përfshirë sakarinën, sukralozën dhe aspartamin – si dhe alkoolet e sheqerit, si ksilitoli dhe eritritoli, apo edhe ëmbëlsues bimorë si stevia.
Hulumtimet e kaluara kanë treguar se përdorimi i zëvendësuesve të sheqerit mund të sjellë disa përfitime, si ulja e nivelit të sheqerit në gjak tek personat me diabet, si dhe mbrojtja e dhëmbëve nga prishja dhe kariesi.
Megjithatë, një numër studimesh kanë nxjerrë në pah edhe rreziqe të mundshme, përfshirë ndikimin negativ mbi mikrobiomën e zorrëve. Po ashtu, ëmbëlsuesit me pak kalori janë lidhur me rrezik më të lartë për disa gjendje shëndetësore, si sulmi në zemër dhe goditja në tru, sindroma metabolike, obeziteti, migrena dhe kanceri.
Tani, një studim i ri i publikuar në revistën “Neurology”, shton më shumë prova që sugjerojnë një lidhje mes konsumimit të ëmbëlsuesve artificialë dhe përkeqësimit të aftësive njohëse.
Në studimin e tyre, shkencëtarët u përqendruan tek ëmbëlsuesit artificialë aspartam, sakarinë, acesulfame-K, eritritol, ksilitol, sorbitol dhe tagatozë.
Në përfundim të studimit, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit që konsumonin sasinë më të madhe të zëvendësuesve të sheqerit (mesatarisht 191 mg/ditë)– kishin një përkeqësim 62% më të shpejtë të aftësive të përgjithshme të të menduarit dhe kujtesës.
Autorët shtojnë se pjesëmarrësit që konsumonin sasitë më të mëdha të ëmbëlsuesve artificialë treguan rënie të kujtesës dhe të të menduarit, të ngjashme me atë që pritet pas 1.6 viteve shtesë plakjeje. /Gazeta Shneta/


