Një studim i udhëhequr nga Queensland University of Technology (QUT) ka zbuluar një lidhje të fortë mes ekspozimit ndaj tymit të zjarreve malore dhe rritjes së shtrimeve në spital nga COVID-19, duke ngritur shqetësime për Australinë në prag të një sezoni të ri zjarresh.
Kërkimi, i publikuar në revistën Journal of Public Health Research & Practice, analizoi të dhënat e spitaleve në Nju Jork gjatë zjarreve të mëdha në Kuebek të Kanadasë në vitin 2023, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se pas përhapjes së tymit, rastet e shtrimeve për COVID-19 u shtuan ndjeshëm dy javë më vonë.
Sipas studimit, çdo rritje e nivelit të grimcave të imëta PM2.5 – të cilat depërtojnë thellë në mushkëri – shoqërohej me një 7% rrezik më të lartë për shtrime në spital.
Dr. Javier Cortes-Ramirez, drejtues i studimit, tha se gjetjet theksojnë nevojën për të kuptuar më mirë ndikimin e ngjarjeve ekstreme natyrore mbi infeksionet respiratore.
“Me afrimin e një sezoni të mundshëm të ashpër zjarresh, duhet të jemi të përgatitur për rritjen e kërkesave shëndetësore dhe për mbrojtjen e grupeve më të cenueshme,” u shpreh ai.
Studiuesit rekomandojnë që autoritetet shëndetësore të integrojnë politikat për cilësinë e ajrit dhe planet emergjente me masat kundër sëmundjeve infektive, për të parandaluar pasoja të ngjashme në të ardhmen.


