Ataku kardiak nuk shfaqet gjithmonë me dhimbje të forta gjoksi, sidomos te gratë. Simptomat mund të jenë të ndryshme dhe shpesh neglizhohen. Njohja e tyre në kohë mund të shpëtojë jetë.
Një nga shenjat e para është marrja e mendsh. Kur zemra nuk merr oksigjen të mjaftueshëm, qarkullimi drejt trurit dobësohet dhe mund të shkaktojë paqartësi. Po ashtu, dhimbjet në pjesën e sipërme të trupit janë të zakonshme: shpinë, shpatulla, qafë, krahë ose nofull. Këto ndodhin sepse zemra shpesh ndan rrugë nervore me këto zona.
Një tjetër tregues është lodhja e pashpjegueshme. Më shumë se gjysma e grave raportojnë ndjesi të vazhdueshme dobësie për javë të tëra para një sulmi në zemër. Edhe djersët e ftohta pa arsye të qarta, si aktiviteti fizik apo menopauza, janë një paralajmërim serioz.
Gjithashtu, të përzierat shfaqen më shpesh te gratë dhe shpesh ngatërrohen me gripin ose probleme stomaku. Nëse janë të papritura dhe të vazhdueshme, kërkohet vizitë mjekësore. Frymëmarrja e vështirësuar është një tjetër shenjë e rëndësishme: nëse ngjitja e disa shkallëve duket e papërballueshme dhe nuk qetësoheni, duhet të telefononi urgjencën.
Të gjitha këto simptoma nuk duhen nënvlerësuar. Ndërhyrja e shpejtë mjekësore është thelbësore për të shpëtuar jetë. /Gazeta Shneta/


