Një ilaç i ri që synon të trajtojë obezitetin duke ndikuar në mekanizmat biologjikë që e shkaktojnë atë është prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit (EASD) në Vjenë.
I quajtur RES-010, ilaçi funksionon përmes një fragmenti të vogël gjenetik (antisense oligonukleotid) që bllokon një molekulë RNA të njohur si miR-22, e cila kontrollon proceset kyçe të lidhura me metabolizmin e yndyrnave, funksionin e mitokondrive dhe mënyrën se si organizohet indi dhjamor.
Ndryshe nga barnat e grupit GLP-1, që kryesisht shtypin oreksin, RES-010 synon të ri-programojë metabolizmin, duke shkaktuar humbje të qëndrueshme në peshë edhe pas ndërprerjes së trajtimit, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Testet paraklinike në minj dhe primatë jo-njerëzorë treguan humbje të dukshme të masës dhjamore, ndërsa masa muskulore pothuajse nuk u prek. Për më tepër, kafshët që trajtoheshin me RES-010 nuk fituan sërish peshë pas ndërprerjes së trajtimit, ndryshe nga ato që merrnin vetëm semaglutid.
Aktualisht, ilaçi është në fazën e parë të testimeve klinike në njerëz në Holandë, me deri në 80 pjesëmarrës. Rezultatet e para priten në fillim të vitit 2026.
Sipas studiuesve, nëse efektet konfirmohen, RES-010 mund të hapë një epokë të re të mjekësisë gjenetike për trajtimin e obezitetit dhe përmirësimin e shëndetit metabolik./Gazeta Shneta/


