Një formë e vitaminës B3, e quajtur nikotinamid, që mund të blihet në farmaci, duket se ul rrezikun e disa llojeve të kancerit të lëkurës tek personat që e kanë kaluar më parë këtë sëmundje.
Një studim i ri ka treguar se pacientët me histori të kancerit të lëkurës përfituan më shumë nga përdorimi i këtij suplementi, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Mjekët e kanë rekomanduar prej kohësh nikotinamidin për pacientët me rrezik të lartë, pasi studimet paraprake sugjeronin se ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet e shkaktuara nga rrezatimi UV dhe mund të zvogëlojë përsëritjen e kancerit të lëkurës.
Megjithatë, ndikimi i tij ka qenë i vështirë për t’u matur, pasi suplementi shitet pa recetë dhe nuk regjistrohet gjithmonë në bazat e të dhënave shëndetësore.
Për këtë arsye, studiuesit analizuan të dhëna nga gati 34 mijë pacientë në sistemin amerikan të Shëndetit për Veteranët.
Rreth 12 mijë pacientë morën nga 500 miligramë nikotinamid dy herë në ditë për të paktën një muaj.
Rezultatet treguan një ulje prej 14% të rrezikut për zhvillimin e kancerit të lëkurës, ndërsa tek pacientët me histori të mëparshme të sëmundjes ulja ishte deri në 54%, sidomos për një formë të shpeshtë, karcinomën skuamoze kutane.
Studimi, i publikuar në revistën “JAMA Dermatology”, sugjeron se nikotinamidi mund të përdoret më herët si masë parandaluese. Megjithatë, tek pacientët me sistem imunitar të dobësuar pas transplantit, efektet nuk ishin domethënëse.
“Ende duhet të kuptojmë më mirë kush përfiton realisht nga nikotinamidi,” tha Dr. Lee Wheless, autor i studimit, duke theksuar se vetëm një pjesë e pacientëve zhvillojnë shumë herë kancer të lëkurës. /Gazeta Shneta/


