Pacientët me dëmtime të palcës kurrizore shpesh përballen me luhatje të rrezikshme të tensionit të gjakut, që e bëjnë jetën e përditshme të vështirë dhe të lodhshme. Medikamentet deri tani kanë dhënë rezultate të kufizuara – por një zbulim i ri nga Zvicra po sjell shpresë.
Neuroshkencëtarët e EPFL dhe CHUV kanë zhvilluar një implant që stimulon me impulse elektrike neuronët e palcës kurrizore, duke ndihmuar pacientët të kontrollojnë tensionin e gjakut, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sistemi lidhet me një byzylyk inteligjent në dorë, i cili dërgon sinjale te një gjenerator i vendosur në bark. Pacienti mund të rregullojë fuqinë e sinjaleve sipas gjendjes së tij.
Falë këtij implant, 70-vjeçari Daniel Joggi, dikur skiator i pasionuar, ka rifituar mundësinë për t’u ngjitur sërish në pistat malore me një ski të përshtatur. “Funksionon lehtë, mjafton të kesh kujdes me baterinë,” thotë ai.
Një tjetër paciente, studentja belge Julie Verlinden, e cila humbi lëvizshmërinë dhe kontrollin e tensionit pas një aksidenti, përshkruan efektin e menjëhershëm pas operacionit: “Ishte si të zgjohesha nga një gjumë i gjatë. Ndjeva oksigjenin të më përshkonte trurin.”
Sipas neurokirurges Jocelyne Bloch, operacioni është me rrezik të ulët pasi elektrodat vendosen mbi palcën kurrizore, jo brenda saj. Pajisja ka marrë miratimin e FDA-së për prova klinike dhe një studim më i gjerë do të nisë në SHBA dhe Europë.
Ky inovacion premton t’u rikthejë pacientëve energjinë, autonominë dhe një cilësi jete më të mirë. /Gazeta Shneta/


