Një nga komplikacionet më të rënda të diabetit është retinopatia diabetike, e cila dëmton enët e gjakut në retinë dhe mund të shkaktojë verbëri. Aktualisht, nuk ekziston një kurë përfundimtare. Trajtimet përfshijnë injeksione me barna anti-VEGF, kirurgji dhe kontroll rigoroz të sheqerit në gjak.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, rreth 11% e popullsisë botërore jeton me diabet, dhe 90% e tyre kanë tip 2. Studiuesit vlerësojnë se deri në 40% e këtyre pacientëve zhvillojnë retinopati diabetike, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri i botuar në revistën “Pharmaceutics” sugjeron se semaglutidi – përbërësi aktiv i ilaçeve GLP-1 si Ozempic (për diabet tip 2) dhe Wegovy (për humbje peshe) – mund të ketë efekte mbrojtëse mbi shëndetin e syve.
Në qelizat eksperimentale të retinës njerëzore të trajtuara me semaglutide, ato u ekspozuan më pas ndaj niveleve të larta të glukozës dhe stresit oksidativ.
Rezultatet treguan se qelizat e trajtuara kishin dyfish më shumë gjasa të mbijetonin krahasuar me qelizat e patrajtuara. Ato ruanin më shumë energji, shfaqnin më pak shenja vdekjeje qelizore dhe kishin prodhim dukshëm më të ulët të radikaleve të lira.
Gjithashtu, gjenet që lidhen me prodhimin e antioksidantëve ishin më aktive, duke sugjeruar potencial për riparim të dëmeve ekzistuese.
Autorët theksojnë se ilaçet GLP-1 nuk dëmtojnë qelizat e retinës, përkundrazi ofrojnë mbrojtje, sidomos në fazat e hershme.
Hapat e ardhshëm janë provat klinike për të vërtetuar nëse semaglutidi mund të ngadalësojë ose ndalojë përparimin e kësaj sëmundjeje që rrezikon shikimin. /Gazeta Shneta/


